Shkup, fillon punëtoria "Lufta kundër tregtisë ilegale të aseteve kulturore në Ballkanin Perëndimor"

Në Shkup filloi punëtoria "Lufta kundër tregtisë ilegale të pasurive kulturore në Ballkanin Perëndimor".
Shkup, fillon punëtoria "Lufta kundër tregtisë ilegale të aseteve kulturore në Ballkanin Perëndimor"

Në Shkup filloi punëtoria "Lufta kundër tregtisë ilegale të pasurive kulturore në Ballkanin Perëndimor".

Ministri i Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Ljutkov si dhe përfaqësues nga vendet e rajonit, morën pjesë në programin e hapjes së punëtorisë të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) dhe Bashkimi Evropian (BE).

Në këtë program mori pjesë edhe Zeynep Boz, shefja e Departamentit Kundër Kontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Türkiyes, e cila është këshilltare e UNESCO-s në fushën e luftimit të pasurive kulturore.

Ministri Ljutkov tha se Maqedonia e Veriut e cila është kandidate për anëtarësim në BE, ka treguar përkushtim serioz për respektimin e konventave ndërkombëtare si dhe dokumenteve të tjera të rëndësishme evropiane në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Duke falënderuar Komisionin Evropian (KE) për mbështetjen ndaj këtij projekti, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe pasuritë e tyre kulturore, Ljutkov tha: "Tregtia e paligjshme e aseteve kulturore është problem global që kërkon përgjigje globale, por gjithashtu kërkon bashkëpunim të fortë rajonal, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor ku trashëgimia kulturore është e pasur dhe e larmishme".

"Rajoni ynë njihet për historinë dhe kulturën e tij të pasur, por edhe për kontekstin e tij historik që i bën pasuritë kulturore të pambrojtura ndaj vjedhjeve dhe tregtisë ilegale. Kështu, dëmtohet jo vetëm trashëgimia kulturore, por edhe ekonomia dhe stabiliteti social i vendeve tona. Për këtë arsye, të gjitha vendet e rajonit duhet të bashkohen dhe të bashkëpunojnë me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për të kundërshtuar dhe kthyer mallrat e vjedhura dhe të eksportuara ilegalisht", tha ai.

Përgjegjësi në Zyrën Rajonale Evropiane të UNESCO-s për Shkencën dhe Kulturën, Matteo Rosati theksoi rëndësinë e aseteve kulturore dhe tha se krimet kundër aseteve kulturore nuk janë vetëm krime pronësore. Duke kujtuar se projekti u realizua nën kujdesin e partneritetit të BE-së dhe UNESCO-s, Rosati tha se ata u bashkuan për t'u pajisur me më shumë informacion dhe mjete më të mira në luftën kundër këtij krimi.

Ai e përshkroi mbrojtjen e aseteve kulturore si përgjegjësi kolektive në të cilën bashkëpunimi ndërsektorial është thelbësor. "Ky projekt ka të bëjë me forcimin e rrjeteve në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, në partneritet me organizata të tjera kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, në mënyrë që kjo luftë e përbashkët të shërbejë si një platformë për dialog dhe bashkëpunim të zgjeruar në Evropë", tha Rosati.

- Türkiye mbështet arsimin duke dërguar ekspertë

Shefja e Departamentit Kundër Kontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Trashëgimisë Kulturore dhe Muzeve, Zeynep Boz, në një deklaratë për Anadolu tha se projekti është i fokusuar në parandalimin e kontrabandës së pasurive kulturore në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke e përshkruar projektin si jashtëzakonisht të rëndësishëm për ta në këtë aspekt, Boz tha: "Kontrabanda e pasurive kulturore është krim transnacional dhe sa më mirë të bashkëpunojnë vendet, aq më mirë e trajtojnë këtë çështje. Prandaj, çdo gjë që do të forcojë bashkëpunimin dhe në këtë mënyrë do të mbrojë asetet tona kulturore që duhet të trashëgojmë në të ardhmen bëhet më e rëndësishme dhe ndoshta edhe më e lehtë përmes këtij bashkëpunimi. Ne jemi sot këtu me UNESCO-n dhe BE-së për ta siguruar këtë", tha ajo.

Lidhur me kontributin e Türkiyes në këtë fushë, Boz tha: "Kontributi i Türkiyes është të mbështesë këtë trajnim duke dërguar ekspertë. Mes tyre ka akademikë të rëndësishëm si prof. Zeynep Gül Ünal, dr. Işılay Gürsu nga departamentet tona të policisë që janë të specializuar në luftën kundër kontrabandës së pasurive kulturore. Kontributi i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit është se i kushton shumë rëndësi bashkëpunimit brenda vetes dhe jep përgjigje të fortë në fushën përkatëse".

Ajo thekson se Türkiye është e lumtur të ndajë atë që ka mësuar dhe të mësojë të reja ndërsa kujtoi se ky është projekt i BE-së dhe UNESCO-s. Boz shtoi se në seminarin 5-ditorë ekspertë nga vende të ndryshme do të ndajnë përvojat e tyre dhe në këtë mënyrë synojnë të forcojnë bashkëpunimin.