Hapet ekspozita me dokumente dhe fotografi mbi historinë e mjekësisë në Turqi dhe Shqipëri

Në ambientet e Spitalit Rajonal Memorial në Fier është hapur ekspozita me dokumente dhe fotografi me temë "Historia e mjekësisë në Türkiye dhe Shqipëri".
Hapet ekspozita me dokumente dhe fotografi mbi historinë e mjekësisë në Turqi dhe Shqipëri

Në ambientet e Spitalit Rajonal Memorial në Fier është hapur ekspozita me dokumente dhe fotografi me temë "Historia e mjekësisë në Türkiye dhe Shqipëri".

Në hapjen e ekspozitës ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Albana Koçiu, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Ömer Osman Demirbaş, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, drejtues dhe pjesëtarë të stafit të spitalit dhe zyrtarë të tjerë.

Ministrja Koçiu në fjalën e saj në hapje të ekspozitës u shpreh se vijojnë edhe sot të kenë një mbështetje të jashtëzakonshme nga shteti turk.

"Unë besoj se ekspozita e sotme vjen si një vlerë e shtuar për të treguar dhe për të dëshmuar gjithë partneritetin me shtetin mik turk, i cili nëpërmjet kësaj ekspozitë dëshmon edhe një herë shenjën e miqësisë së mirë dhe vëllazërisë së mirë me shqiptarët", ka theksuar Koçiu.

Koçiu ka shtuar se Spitali Rajonal Memorial në Fier është shembulli më i mirë i mundshëm për të treguar vazhdimësinë e partneritetit mes dy vendeve , sipas saj "të kësaj miqësie që daton që herët dhe ekspozita e tregon këtë".

Ambasadori Atay tha se ka pasur një bashkëpunim shumë të afërt duke parë edhe shkresat në ekspozitë.

Ambasadori turk shtoi se edhe sot dy shtetet kanë një lidhje shumë të fortë. "Janë dokumente që tregojnë lidhjen e dy shteteve, në rrugën e shëndetësisë dhe jemi mbledhur për t’i parë", tha Atay.

Ambasadori Atay ka theksuar se Spitali Rajonal Memorial në Fier është ndërtuar nga shteti turk brenda tre muajve, që sipas tij qytetarët shqiptarë të marrin shërbimin e duhur.

Ekspozita organizohet nën kujdesin e Institutit "Yunus Emre" - Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Türkiyes.

Sipas institutit, në këtë ekspozitë që do të qëndrojë e hapur për një javë janë ekspozuar rreth tridhjetë dokumente dhe fotografi në lidhje me zhvillimet në fushën e mjekësisë në Shqipëri përgjatë periudhës osmane.

Kujtojmë se Spitali Rajonal Memorial në Fier është ndërtuar me mbështetjen financiare të Türkiyes dhe është hapur për shërbim ndaj qytetarëve në fund të majit të vitit 2021.