Çfarë pritet të ndodhë me kreditë dhe depozitat pas uljes së normës bazë?

Një muaj pasi Banka Qendrore Europiane uli normën bazë të interesit për lekun, të njëjtën lëvizje bëri edhe Banka e Shqipërisë.
Çfarë pritet të ndodhë me kreditë dhe depozitat pas uljes së normës bazë?

Një muaj pasi Banka Qendrore Europiane uli normën bazë të interesit për lekun, të njëjtën lëvizje bëri edhe Banka e Shqipërisë. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë në 3% normën bazë të interesit për lekun. Thënë ndryshe, uli koston e monedhës vendase, duke e bërë më të lirë lekun. Sipas guvernatorit, ecuria pozitive e ekonomisë dhe rënia e inflacionit ishin arsyet kryesore të këtij vendimi.

Por çfarë ka ndodhur me normën bazë të interesit në këto dy vite e gjysmë kur ekonomia shqiptare dhe jo vetëm, edhe ajo botërore u përball me rritjen e ndjeshme të çmimeve, atë që ndryshe njihet si kriza e inflacionit?
Përballë një shtrenjtimi të tillë dhe si përgjigje ndaj inflacionit, në shkurt 2022 Banka e Shqipërisë filloi shtrëngimin e politikës monetare, duke e çuar normën bazë nga 0.5% që ishte edhe minimumi historik në 3.25%, me rritjen e fundit që u bë në nëntor 2023. Bashkë me uljen e të mërkurës, Banka e Shqipërisë e ka ndryshuar plot 8 herë normën bazë në këto dy vite e gjysmë.

Por a tregon ulja e normës bazë se tashmë periudha e rritjes së çmimeve ka përfunduar?

Sinjalet që vijnë nga tregjet ndërkombëtare, aty ku ne importojmë pjesën më të madhe të produkteve janë mikse dhe perspektiva e rritjes mbetet ende e pasigurt.


Në qershor, Banka Qendrore Europiane uli në  3.75% normën bazë të interesit për euron, pasi edhe në vendet europiane inflacioni shënoi rënie. Ndërkohë që Rezervat Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk e kanë ndërmarrë një lëvizje të tillë, duke pritur që situata të qartësohet më shumë.

Një panoramë e ngjashme në lidhje me çmimet është edhe në Shqipëri. 

Në vendin tonë, inflacioni zbriti në maj në 2.2% dhe që prej janarit të këtij viti, është futur në një trajektore rënëse. Kjo dëshmon për një situatë më të relaksuar dhe ulja e normës bazë synon të nxisë ekonominë, e frenuar deri më tani edhe nga politika monetare shtrënguese.

Por çfarë pritet të ndodhë pas uljes së normës bazë të interesit për lekun nga Banka e Shqipërisë? Cilat janë efektet e pritshme?
Ajo që pritet është një ulje e përgjithshme e interesave në ekonomi. Thënë ndryshe, bankat të ulin interesat e kredive të reja që do të merren në lek. Rënie do të pësojnë edhe interesat e depozitave në monedhën vendase, si dhe letrave me vlerë, bonove të thesarit dhe obligacioneve. (Aurora Sulçe)